Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta është një akt terrorist nga ata që i quan “kriminelë nën uniformë të narko-policisë”. Në një konferencë për mediat, Blushi akuzon Kryeministrin Rama, për të cilin thotë se qëndron pas arrestimit të Metës.

Tedi BlushiAkt i pashembull terrorist. Kriminelët nën uniforma të narko-policisë kryen një prej krimeve më të pashembullta në Shqipëri duke rrëmbyer ish-Kryeministrin, ish-Kryetarin e Kuvendit dhe ish-Presidentin Ilir Meta, i cili edhe pse me imunitet dhe gjoja nën mbrojtje nga Garda, i tradhtuar dhe prej tyre, u rrëmbye nga dhjetra kriminelë nën uniformë të cilët i paralajmëroi që nga ky moment e kanë personale me shqiptarët e ndershëm sepse kanë marrë një detyrë që vetëm banditë dhe kriminelë mund ta bëjnë. Më e rëndë është dhuna fizike që këta terroristë kanë ushtruar sot ndaj ish-Presidentit duke kënaqur egon e kryemafiozit, Edi Rama, i faktuar botërisht si Kryeministri i vetëm në botë, i cili ka pritur në zyrë, përfaqësuesit e krimit të organizuar.

Akti i sotëm është një shpallje lufte ndaj opozitës që nga ky moment dhe që nga dita e sotme, i ka 2 drejtuesit të ndaluar politikisht. Tejkalimi i çdo vije të kuqe do të marrë edhe përgjigjen e popullit opozitar dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm në të katër anët e botës. Hakmarrje primitive e Ramës që përmes xhelatëve kreu aktin e fundit duke arrestuar në mënyrë kriminale liderin dhe Presidentin e PL-së, Ilir Meta. Të gjithë ata që kanë pasur shpresë tek sukseset, sot u bindën se në këtë vend nuk ka drejtësi. Kur ky akt kriminal në mes të ditës para qindra qytetarëve ndodh ndaj një ish-Presidenti, imagjinoni se ç’do të ndodhë sot e në vijim me secilin prej jush, me çdo qytetar të pambrojtur.

Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve të ndershëm që e duan atdheun, familjen dhe kombin shqiptar. Ndaj Metës nuk ka akuzë të mbështetur mbi fakte dhe prova, nuk ka prova e dokumente e dëshmi të vërtetë që e implikon atë në aferë korruptive. Proces i inskenuar nga Rama dhe i zbatuar nga xhelati i tij në krye të kësaj strukture terroriste sepse akuzat e vetme për të cilat Meta është ndaluar: Mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës, beteja e tij e jashtëzakonshme për mbrojtjen e çështjes së detit. Edi Rama do të marrë përgjigjen më shembullore nga shqiptarët e ndershëm dhe patriotë nga të katër anët e botës. Ne jemi duke identifikuar të gjithë skuadrën terroriste që ka marrë pjesë sot dhe do ju faktojmë me prova lidhjet e tyre kriminale.


/tvklan.al