Presidenti Xi Jinping vlerësoi lidhjet e Kinës me Francën si një model ndërkombëtar të dielën pasi mbërriti në Paris për një vizitë të rrallë në sfondin e mosmarrëveshjeve tregtare me BE-në. Presidenti francez Emmanuel Macron do t’i kërkojë Xi-së të reduktojë defiçitin tregtar dhe të përdorë ndikimin e tij ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. Presidenti i Kinës do të takohet të hënën me Macron-in dhe shefen e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Në Paris, presidenti Xi, i cili u mirëprit nga kryeministri Gabriel Attal, tha në një deklaratë të lëshuar pas mbërritjes së tij se lidhjet midis Kinës dhe Francës janë “model bashkëjetese paqësore për komunitetin ndërkombëtar.”
Franca po mbështet një hetim të Bashkimit Europian për eksportet kineze të automjeteve elektrike dhe në janar, Pekini hapi një hetim mbi importet kryesisht franceze të verës, një lëvizje që shihet gjerësisht si hakmarrje për hetimet antidumping të BE-së.
27 anëtarët e BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, janë të ndarë në qëndrimin e tyre ndaj Kinës. Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk do t’i bashkohet Macron-it dhe Xi-së në Paris për shkak të angazhimeve të mëparshme, thanë burimet. Dallimet për marrëdhëniet me Kinën mund të minojnë aftësinë e BE-së për të ndikuar në gjigantin aziatik.
“Franca do të kërkojë gjithashtu të bëjë presion në hapjen e tregut kinez ndaj eksporteve të saj bujqësore dhe të zgjidhë çështjet rreth shqetësimeve të industrisë kozmetike franceze për të drejtat e pronësisë intelektuale“, thanë zyrtarët.
Kina mund të shpallë një porosi për rreth 50 avionësh Airbus gjatë vizitës së Xi-së, por mbetet e pasigurt nëse do të jetë një marrëveshje e re, thanë njerëz të njohur me negociatat.
Franca pret ta shtyjë Kinën që t’i bëjë presion Moskës për të ndalur operacionet në Ukrainë.
“Nëse kinezët kërkojnë të thellojnë marrëdhëniet me partnerët europianë, është vërtet e rëndësishme që ata të dëgjojnë këndvështrimin tonë dhe të fillojnë ta marrin seriozisht“, tha një burim diplomatik francez.
Klan News