300 mijë Euro do të paguheshin në laboratorin e Policisë Shkencore për të shkatërruar ADN-në e Redjan Rrajës. SPAK, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare para gjykatës, e bëri të ditur këtë fakt. Organi i akuzës pretendon se kjo gjë do të bëhej për t’i lehtësuar atij pozitën në gjykatë. Sipas prokurorëve, kjo bisedë është zbardhur nga komunikimet që ka pasur grupi kriminal në aplikacionin SKY.
Redjan Rraja që kishte pseudonimin “Doku” rrezikon që të dënohet me burgim të përjetshëm si ekzekutor në ngjarjen e 1 Nëntorit të 2019 tek mbikalimi i “Shkozetit” në Durrës. Në këtë atentat u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj, miku i tij Aleksandër Laho, dhe një javë më vonë humbi jetën në Spitalin e Traumës shoferi Andi Maloku.
SPAK bëri të ditur se gjurmët e ADN së Redjan Rrajës janë gjetur në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit. Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza. Brënda makinës së autorëve u gjetën 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Prova tjeta kundër Redjan Rrajës janë pamjet filmike kur ai largohet nga Ishimi në drejtim të makinës që drejtohej nga Eriol Haliaj. Sipas prokurorisë, pas zbërthimit të celularit të tij është konstatuar se ai ka bërë 880 hapa me shpejtësi deri sa kanë arritur tek vendi ku i mori Halilaj. Po ashtu në celularin e tij janë gjetur edhe termat si “bidon”, “benzin”, “autostradë”, “benz”, “Arjani”, “Rrumi”, “vrasje”, “burg”.
Rraja ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në qytetin e Durrësit dhe ka qëndruar në zonën e “Vollgës”. Ai ka pretenduar se atje është marrë me dokumentet e makinës së tij. Ndërkohë që bashkëshortja e Rrajës ka pretenduar se ditën e ngjarjes ai ndodhej jashtë vendit. Sipas prokurorisë, Rraja ka dashur të krijojë një alibi.
Erjol Halilaj për të cilin SPAK kërkoi dënimin me 35 vite burg, akuzohet si bashkëpunëtor. Sipas kamerave të sigurisë, ai ka marrë makinën e tij nga një biznes në Durrës në orën 15:15 dhe ka përshkuar të njëjtin itinerar që ka ndjekur makina e autorëve dhe ka shkuar në afërsi të Ishmit për të marrë Rrajën dhe dejtuesin e makinës. Organizator i atentatit dyshohet të jetë Plarent Dervishaj.
Në konkluzionet e saj, Prokuroria e Posaçme nuk e specifikoi kush ishte shënjestër e atentatit. Seanca e radhës me konkluzionet e mbrojtjes së Rrajës dhe Halilajt do të mbahet më 15 Qershor në orën 14:00.
Klan News