Me Ligjin për Prokurori Publike, për të cilin njoftoi dje Kryeministri Zoran Zaev, Prokuroria Speciale Publike do të kalojë në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do riemërohet në Prokurori Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë. Javën e ardhshme në Kuvend do të propozohet tekst i ri i ligjit për Prokurorinë Publike.
Propozim-ligji parasheh: PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit. Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së. Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska. Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë. Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje. Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve. Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesojë para gjykatave kompetente. Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura. Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve. Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik. Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim propozim/ligjin e vlerësojnë si pozitiv duke theksuar se kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme kundër krimit dhe korrupsionit.
“Propozimi është bazë e mirë dhe në përgjithësi kornizë në drejtim të duhur për një zgjidhje të përhershme për institucionalizimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Tani u mbetet partive politike dhe deputetëve të arrijnë koncensus mbi tekste të negociuar, por në kuadër të kësaj kornize”, thonë nga BDI.
Nga ASH njoftojnë se ngelen me qëndrimin që në krye të Prokurorisë Speciale të jetë prokuror nga Bashkimi Evropian. Nga Lëvizja Besa thonë se ende nuk e kanë shqyrtuar ligjin, e sa i përket emrit të prokurores Ruskoska thonë se nuk është me rendësi se kush do të udhëheqë.
“Ligjin e kemi marrë dje për ta shqyrtuar. Emri s’ka rëndësi aspak, me rëndësi është ndërtimi i institucionit që tash ka humbur kredibilitetin e vet”, thonë nga Lëvizja Besa.
Për partinë opozitare VMRO-DPMNE propozimi i kryeministrit Zaev konfirmon kontrollin e drejtpërdrejtë që LSDM ka në punën “Ruskoska prokurori”.
Tv Klan