Gjeorgjianët pro-Bashkimit Evropian u mblodhën pranë parlamentit në natën e dytë të protestave, pasi partia në pushtet e vendit deklaroi se do të ndalonte bisedimet e pranimit në BE deri në vitin 2028.
Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që po ngrinte barrikada në qendër të Tbilisit. Mbi 30 persona u plagosën dhe 43 protestues u arrestuan nga policia.
Protestuesit që mbanin flamuj të Gjeorgjisë dhe BE-së u përplasën me forcat e sigurisë drejt ndërtesës së parlamentit dhe hodhën fishekzjarre ndaj oficerëve të policisë. Policia i detyroi ata të largoheshin nga kuvendi dhe të zbrisnin në bulevardin Rustaveli drejt Teatrit të Operas.

Qindra punonjës në shërbim të ministrive të Jashtme, të Mbrojtjes, Arsimit dhe Drejtësisë të vendit nënshkruan letra duke denoncuar ngrirjen e bisedimeve si jokushtetuese. Një varg universitetesh private kanë thënë se po pezullojnë studimet në mes të trazirave, ndërsa grupet e biznesit kanë kërkuar që qeveria të rishikojë qëndrimin e saj.
Më shumë se 100 diplomatë gjeorgjianë kanë kritikuar Qeverinë se ka ndalur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Pengimi i procesit të negociatave të anëtarësimit do të çojë në izolimin e shtetit. Pa mbështetjen e partnerëve perëndimorë, Gjeorgjia qëndron para kërcënimeve që janë intensifikuar, në sfondin e proceseve që po vazhdojnë në mjedisin ndërkombëtar dhe të sigurisë”, shkruan ata.

Gjeorgjia është duke u përballur me trazira që pas zgjedhjeve parlamentare në Tetor, të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, por opozita dhe qeveritë perëndimore argumentuan se votimi ishte jo demokratik me ndikim rus.
Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për BE në Dhjetor 2023, por marrëdhëniet me Brukselin janë përkeqësuar muajt e fundit, sidomos pas miratimit të ligjit për “agjentët e huaj,” që kritikët thonë se synon t’i diskreditojë mijëra media dhe grupe të shoqërisë civile.
Klan News