Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në Laç mbrëmjen e sotme, ku një këmbësor është përplasur nga një makinë.

Viktima është 51-vjeçari me iniciale V.H., banues në Kurbin. Këmbësori mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore, por fatkeqësisht humbi jetën në spital.

Ndërkohë, makina drejtohej nga një punonjëse e policisë, F.Z. 43 vjeçe. Kjo e fundit ka qenë jashtë orarit të punës kur ndodhi aksidenti.

43-vjeçarja është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i Policisë:

Në aksin rrugor Laç-Autostradë, shtetasja F. Z.,43 vjeçe, (punonjëse policie, jashtë orarit të punës),  duke drejtuar automjetin e saj  ka aksidentuar shtetasin V. H. 51 vjeç, banues në Kurbin,(këmbësor), i cili u transportua në Spitalin e Traumës Tiranë për asistencë mjekësore më të specializuar,  por ka humbur jetën në spital.

Grupi hetimor dhe specialistët e AMP (rajoni Lezhë-Shkoder), kanë kryer të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes si dhe drejtuesja e mjetit është shoqëruar dhe arrestuar për veprën penale  “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

/tvklan.al