Me një buzëqeshje të vazhdueshme Presidenti rus Vladimir Putin foli për garën presidenciale amerikane duke treguar edhe preferencat e tij për kandidatët.
“Unë e kam thënë se i preferuari ynë, si të thuash, ishte presidenti në detyrë, zoti Biden. Ai u nxor jashtë gare, por ai i këshilloi të gjithë mbështetësit e tij që të mbështesin zonjën Harris. Kështu do të bëjmë dhe ne, do të mbështesim atë. Së dyti, e qeshura e saj është kaq ekspresive dhe ngjitëse, që do të thotë se ajo po bën mirë”.
I akuzuar shpesh se ka punuar për fitoren e Trump, publikisht Putin thotë se ai ka qenë i dëmshëm për Rusinë.
“Trump vendosi kaq shumë kufizime dhe sanksione kundër Rusisë sa asnjë president para tij nuk kishte vendosur kaq shumë. Nëse Harris po bën mirë, ajo do të përmbahet nga veprime të tilla. Në fund, është një zgjedhje që duhet ta bëjë populli i Amerikës dhe ne do ta respektojmë atë zgjedhje”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Trump që tha se nuk e dinte nëse ishte fyer apo Putin i kishte bërë nder me komentet e tij.
Shtëpia e Bardhë reagoi gjithashtu duke i kërkuar Kremlinit të ndalë ndërhyrjet e saj në zgjedhjet amerikane.
Deklaratat erdhën pikërisht në ditën kur Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi 2 punonjës të Russia Today dhe sanksionoi 10 të tjerë për ndërhyrje në zgjedhje.
Tv Klan