Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në qytetin juglindor spanjoll të Valencias për mënyrën sesi autoritetet trajtuan përmbytjet shkatërruese.
Ndërsa protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit, shumë kërkuan dorëheqjen e liderit rajonal Carlos Mazon, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të krizës.
Demonstruesit brohorisnin “Vrasës!” dhe mbanin tabela që lexonin, “Duart tona janë njollosur me baltë, tuajat me gjak”. Në tubim mbizotëroi edhe një tjetër slogan: “Alarmi ra kur po ngjitesha në ballkon”, duke theksuar mungesën e paralajmërimeve në kohë.
Ata lyen me baltë Pallatin e Qeverisë Rajonale të Valencias si një simbol i zemërimit dhe zhgënjimit të tyre. Përleshjet e dhunshme shpërthyen në qendër të Valencias ndërsa mijëra protestues u përballën me policinë. Kryetarja e bashkisë së qytetit, María José Catalá, shkroi në rrjetet sociale se “Vandalizmi nuk është zgjidhja”.
Policia në disa moment përdori shkopinj gome për të shpërndarë turmën ndërsa protestuesit hodhën karrige dhe objekte të tjera, duke shkaktuar kaos. Demonstrata, e organizuar nga mbi 30 grupe civile, ishte një përgjigje ndaj asaj që banorët e përshkruajnë si veprim të vonuar. Protestuesit pretendojnë se Mazon lëshoi një alarm për përmbytje shumë vonë, disa orë pasi fshatrat ishin përmbytur në të gjithë rajonin.
Përmbytjet e tetorit lanë shkatërrime të mëdha në rreth 80 bashki dhe protestuesit argumentojnë se mungesa e protokolleve efektive të emergjencës e përkeqësoi tragjedinë. Shërbimet kombëtare të motit lëshuan gjithashtu një alarm të kuq për shira të dendur më 29 tetor, por shumë besojnë se autoritetet lokale nuk arritën të veprojnë mjaft shpejt.
David Rubio: Qeveria rajonale nuk paralajmëroi në kohë për përmbytjet. Ata thjesht bënë gjithçka gabim. Pra, ne duam që ata të largohen dhe të lënë qeverinë dhe të marrin përgjegjësinë për të pastruar shkatërrimin që lanë.
Javën e kaluar Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës u goditën me baltë dhe objekte të tjera nga protestuesit e zemëruar gjatë një vizite në qytetin e Paiporta, një nga më të goditurit nga përmbytjet. Objekte u hodhën edhe ndaj kryeministrit Pedro Sánchez.
Nga 220 vdekjet e konfirmuara deri më tani, 212 prej tyre u vranë në rajonin e Valencias. Tetë të tjerët u vranë në rajonet fqinje të Castile-La Mancha dhe Andaluzisë. Gati 80 persona janë ende të zhdukur pas përmbytjes dhe kërkimet po vazhdojnë.
Përmbytjet janë më vdekjeprurëset në Evropë që nga përmbytjet në Portugali që vranë rreth 500 njerëz në vitin 1967.
Tv Klan