Një muaj më parë Kryeministri Edi Rama njoftoi si Shqipëria është futur në atë që e quajti Champions League e Turizmit, ndërsa sot i bindur, thotë se në 2030 Shqipëria do të jetë kampione e rajonit në këtë Industri.
“Jo vetëm që deri tani transformimi i vendit është bërë i pakthyeshëm, po ku Shqipëria, pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon, shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit. Shqipëria e 2030 do të jetë një vend kampion padiskutim i këtij rajonit në turizëm, i cili do të jetë stabilizuar në Champions League-n e Mesdheut.”
Deklaratat u bënë në prezantimin e aplikacionin TEA 2.0, ku përtej diellit dhe plazhit, u ofrohet turistëve një mënyrë më e thjeshtuar, nga Veriu në Jug e gjithë oferta turistike, historike, kulturore, kulinare dhe evente të rëndësishme.
“Aplikacioni në fund të fundit është një pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet. Përtej ofrimit të diellit, plazhit, rërës, ushqimit dhe hotelit”.
Rama u bëri thirrje të rinjve që punojnë jashtë, të kthehen për të shfrytëzuar mundësitë që jep zhvillimi i turizmit. Në nisje të këtij sezoni të ri, tha se projekte të reja mjaft të rëndësishme infrastrukturore do të inaugurohen.
“Disa vepra të mëdha të infrastrukturës që i vihen në dispozicion vizitorëve, duke filluar nga tuneli i Llogarasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forcave politike në të gjitha fushatat, i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug apo që do të vijnë nga jugu. Duke vazhduar me rrugën e re Orikum-Dukat, duke vazhduar me aksin Thumanë-Kashar, në periudhën e sezonit intensiv turistik bëhet e papërballueshme. Aeroporti i Vlorës do përfundojë punimet brenda vitit”.
Viti i shkuar na mësoi se çfarë duhet të përmirësojmë, u shpreh Ministrja Kumbaro, e cila u ndal tek prakticiteti i aplikacionit TEA 2.0.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tregoi se turizmi ka qenë një faktor i rëndësishëm i rritjes së investimeve nga të huaj në vendin tonë.
“Shqipëria doli nga lista gri e pastrimit të parave. Ka pasur një interes në rritje për banesat rezidenciale si pasojë e turizmin. Vetëm në 2023 u shpenzuan 350 mln euro nga të huajt. Edhe shqiptarët jo rezidentë kanë investuar konsiderueshëm në pasuri të patundshme. Këto kanë kontribuar në një rritje me 3.5 përqind të ekonomisë në 2023. Sektori bankar ka ndihmuar në këtë proces gjithashtu. Reformat e ndërmarra me mbështetjen e qeverisë, sidomos ata për kreditë me probleme dhe digjitalizimi, po japin rezultat”.
Në 4 muajt e parë, 3.3 milion turistë kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa parashikohet që në 2024 ta vizitojnë 15 mln turistë.
Tv Klan