Investimi bëhet me paratë e privatit, i cili merr për 35 vjet operimin
Qeveria ka hapur zyrtarisht garën për projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ftesa për të marrë pjesë në këtë tender është bërë nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,Belinda Balluku përpara trupit diplomatik dhe atasheve tregtarë në vend.
Ajo tha se në datën 12 Mars do të hapen ofertat e tenderit e se ditën e fundit të Majit do të nisin punimet për ndërtimin e tij. Ndërtimi i aeroportit do të bëhet me paratë e investitorit privat, i cili pasi të marrë koncesionin do të mbajë për 35 vjet operimin e tij, duke vjelë të ardhurave përmes tarifave.
Aeroporti do të afrojë linja ultra low cost dhe do të ndërtohet për të përballuar edhe fluturime transoqeanike me kontinentin amerikan dhe aziatik, çka pritet t’i japë një shtysë të madhe turizmit në zonën e jugut.
Aeroporti parashikohet të ndërtohet në Akërni, një zonë me distancë 10 minuta larg rrugës kombëtare Fier-Vlorë, ndërsa në bazë të studimit të fizibilitetit, parashikohet që përmes tij të udhëtojnë 600 mijë pasagjerë në vit. Në bazë të studimit të parë, vlera për ndërtimin e tij mendohet të jetë 98 milionë euro, por do të jetë tenderi që do të përcaktojë koston finale të tij.
Shumë shpejt qeveria pritet të shpallë dy tendera të tjerë për ndërtimin e rrugës Thumanë-Rrogozhinë dhe Tunelin e Llogarasë, çka do të plotësojë infrastrukturën turistike të vendit.
Tv Klan