Në të parën vizitë në Shqipëri pas takimit me kryeministrin, Komisionerja për Zgjerimin e sheh realiste ambicien për të përmbyllur procesin teknik të negociatave të anëtarësimit në 2027-ën dhe të merituar anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe më kanë thënë që janë objektiva realistë, jo thjeshtë ambiciozë. Dhe jam e sigurt që me të gjitha reformat që ju po kryeni, kjo do të jetë e mundur”, tha Kos.
Kos vlerëson Shqipërinë si faktor stabiliteti dhe kampion bashkëpunimi siç thotë në rajon një arsye më shumë për të që unioni duhet të jetë i lumtur ta mirëpresë në gjirin e tij vendin tonë.
“Ju e meritoni. Sepse me ju brenda Bashkimit Europian, Europa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Gjëja tjetër e rëndësishme që dëshiroj të them që ju jeni ishull stabiliteti. Ju keni marrëdhënie të mira të fqinjësisë së mirë në rajon dhe kjo është ndonjëherë diçka që ne shpesh e harrojmë. Ju jeni kampion për bashkëpunimin rajonal dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fakti që ju jeni të harmonizuar dhe në përputhje të plotë 100% me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së Bashkimit Europian është vërtet fantastike”, tha Kos.
Kos premton nisjen e një fushate për t’i bindur popujt e vendeve anëtare për rëndësinë e zgjerimit dhe me vende si Shqipëria.
Edhe kryeministri e sheh të merituar vlerësimin nga Komisioni Europian që në një kohë shumë të shkurtër zhvilloi 2 Konferenca Ndërqeveritare dhe në pak ditë pritet të zhvillohet ajo e radhës për hapjen e grupkapitujve të tjerë. Synimi thotë Rama është vetëm një.
“Ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Dhe të munden që kur ulen në aeroportet e Europes të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan: Të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek “të tjerët” me shekuj”, tha Rama.
Kos mendon se zgjedhjet e 11 Majit janë të rëndësishme për procesin e negociatave, por nuk mendon se një rotacion politik do të ndikoje në ritmin teknik të procesit.
“Unë nuk pres që zgjedhjet të ngadalësojnë procesin e integrimit në BE sepse do të ndodhë në një kohë të gjatë dhe është një proces i thellë dhe jam e sigurt që të gjitha ato reforma do të vijojnë dhe këto reforma nuk po kryhen nga Shqipëria sepse i do Bashkimi Europian por sepse ky është një proces shndërrues, transformues për Shqipërinë”, tha Kos.
Ajo që Rama kërkon pa humbur kohe janë paratë që Komisioni Europian i ka akorduar Shqipërisë si pjesë e Planit të Rritjes për rajonin, para që do të lëvrohen sapo Parlamenti Europian dhe ai shqiptar të ratifikojnë marrëveshjet.
“Ne duam lekët tona”, tha Rama.
Komisionerja vlerëson mikpritjen e një sërë samitesh të nivelit të lartë vitet e fundit që sipas saj ka rritur reputacionin e Shqipërisë në Bruksel.
Por vlerëson po ashtu dhe faktin se vendi ynë është i etur të ecë me shpejtësi drejt objektiva çka u tregua sipas saj dhe me golin e Bajramit në sekondën e 23 në përballjen me Italinë në Kampionatin Europian që në fund e humbëm.
Kos, një ish-kampione olimpike, e sfidoi Edi Ramen si ish-basketbollist të ngjisin Korabin, por vetëm pasi Shqipëria të ketë përfunduar negociatat duke i dhuruar në mënyrë simbolike fanellën e ekipit të BE me nr. 11.
Rama nuk e pranoi sfidën, por tha se deklarata e komisioneres janë domethënëse për filozofinë në BEqë nëse nuk përmbush detyrat që ata të japin nuk mund të marrësh asgjë të pamerituar.
“Lerë se ç’thotë Marta do shkojmë në mal bashkë dhe do kënaqemi. Mbasi të kemi bërë detyrat. E pe si tha? Hajde shkojmë në mal tani bashkë. Bëni detyrat tha, futuni në BE pastaj do shkojmë në mal bashkë. Ky është Bashkimi Europian. Marta ka qenë kampione olimpike, e dini këtë? Olimpic champion, medalje ari. Kështu që, mund të thoshte hajde shkojmë. S’thotë! Futemi në BE, pastaj shohim!”, tha Rama.
Tv Klan