Ralf Ragnik ka vendosur që të vazhdojë të drejtojë kombëtaren e Austrisë, edhe pas Kampionatit Europian. 65 vjeçari u bë trajneri i fundit i profilit të lartë që refuzoi të ulej në stolin e Bajern Mynihut.
“Unë jam me zemër trajner i ekipit austriak! Kjo punë më jep gëzim të jashtëzakonshëm dhe jam i vendosur të vazhdoj me sukses në rrugën që kemi zgjedhur. Ky nuk është një refuzim i FC Bayern, por një vendim në favor të ekipit tim dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Ishte reagimi i teknikut në faqen zyrtare të federatës austriake.”
Vendimi i tij ka sjellë befasi te drejtuesit bavarezë që nuk i kishin kursyer lëvdatat për Ragnik në ditët e fundit. I pari në listën e bavarezëve ishte Xabi Alonso, që zgjodhi të qëndronte me Bayer Leverkusen.
Ish-trajneri Julian Nagelsmann zgjati kontratën e tij me Gjermaninë, ndërsa Unai Emery preferoi të qëndronte te Aston Villa. Në muajin shkurt, u vendos që trajneri Tomas Tuhel të largohej në fund të sezonit. Edhe pse bavarezët nuk e fituan titullin kampion, ata janë në garë për Ligën e Kampioneve në këtë sezon.
Klan News