Regjimi sirian i presidentit Bashar al-Assad është përgjegjës për sulmin me gaz Sarin ndaj popullit sirian, që shkaktoi më shumë se 90 viktima e qindra të lënduar. Përfundimi erdhi nga një raport i komisionit hetimor të ngritur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Reaguan menjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadores në OKB, Nikki Haley.
“Kjo situatë duhet të marrë fund. Ky është konfirmimi i përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Damaskut dhe pavarësisht kësaj ka disa vende në Këshillin e Sigurisë që ende mbrojnë presidentin Assad. Të injorosh këto prova tregon mungesë repsekti ndaj Këshillit të Sigurisë”.
Mesazhi i ambasadores amerikane i drejtohej aleates së Presidentit Assad, Rusisë, që vendosi të marrë kohë e të shqyrtojën raportin përpara se të shprehen në Këshillin e Sigurisë.
Sulmi me armë kimike në muajin Prill provokoi reagimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Fill pas sulmit, Presidenti Trump urdhëroi bombardimin e një baze ushtarake siriane, e cila u sulmua nga Uashingtoni me 69 raketa Tomahok.
Tv Klan