“Momenti i duhur, vendi i duhur” është një nga frazat që dëgjojmë shpesh në historitë e suksesit. Devis Xherahu duket se nuk bën përjashtim nga kjo formulë kur fati buzëqesh. Në intervistën për programin “Rudina” në Tv Klan, me titull “Ka momente” si kënga e tij e re, ai tregoi çastin më përcaktues të jetës që e ktheu në këngëtarin e suksesshëm që njohim sot.
Rudina Magjistari: Ka momente që një rastësi të ndryshon totalisht jetën. Cila ka qenë rastësia më e bukur e jetës tënde?
Devis Xherahu: Rastësia më e bukur, ka pasur disa rastësi, por rastësia më e bukur ka qenë kur kam shkuar në Greqi për pushime në vitin ’97. E kisha lënë, kot po them, me Rudinën të pija një kafe, binte shi, e lamë për pasdite. Shikoj një emision, s’dija as gjuhë, asgjë dija vetëm disa fjalë greqisht nga këngët që kisha dëgjuar. Shikoj një emision të një aktoreje të madhe që quhet Jessy Papoutsi, Jessy Papoutsi dhe talentet e saj. Thashë ç’janë këta talentë? Kisha marrë vetëm një muaj vizë për pushime në ’97-ën. Shikoj, i marr në telefon, fola anglisht, shyqyr rastësisht dinte ai sekretari i asaj, më dëgjojnë dhe unë kështu fillova karrierën në Greqi.
Rudina Magjistari: Pra po të mos ishe duke pritur atë personin në kafe, mos të qëlloje para televiziorit atë moment…
Devis Xherahu: Unë shiun e dua dyfish sot kështu si doli gjëja dhe jo vetëm atë, më thotë dëgjo se s’kemi as maestron. Mos u mërzit i thashë, unë hapa derën, s’ka problem se ishte pianoja.
Rudina Magjistari: Pjesa tjetër pastaj është histori, Devis Xherahu që ne njohim.
Në fund, Devisi theksoi se nuk është e rëndësishme vetëm të presësh fatin, por edhe të ndërmarrësh hapa për ta kërkuar dhe rendur pas pasionit./tvklan.al