“Nuk më del qiraxhiu nga shtëpia. Kam bërë kontratë, në fillim ishte korrekt, ndërsa tani prej muajsh nuk më paguan. Nuk di ç`të bëj”, u shpreh e shqetësuar një qytetare në programin “Rudina” në Tv Klan. Marrëdhënia qiradhënës-qiramarrës është tematika e ditës në rubrikën “Ligji i rrugës” me avokaten Margarita Kola.
Së pari, avokatja shpjegon se këto raste nuk asistohen nga policia sepse konsiderohen marrëdhënie civile. Ai thotë se duhet një rregullim ligjor që raste të tilla të konsiderohen penalitet.
Margarita Kola: Është një çështje e cila kërkon rregullime ligjore. Kontrata e qirasë kërkon rregullime ligjore sepse fakti si është tani e përcaktuar kontrata e qirasë, policia nuk ndërhyn sepse e konsideron një marrëdhënie me natyrë civile dhe thonë shko drejtohu në gjykatë, nuk është ndonjë çështje e tipit të flagrancës dhe nuk ndërhyn. Pse them që kërkon rregullime ligjore? Sepse duhet të parashikohet në kontratën e qiradhënies që në qoftë se vihet një afat kohor, qiramarrësi nuk paguan detyrimin e vet, atëherë duhet të dalë automatikisht dhe ta vendosë si një kusht i cili të jetë i tipit penal dhe kjo të konsiderohet në këtë moment një penalitet dhe të dalë jashtë. Ky është një rregullim i tipit ligjor. Nuk e kemi për momentin, duhet rregulluar sepse është një nga kontratat që përfundon në shumicën e rasteve nëpër gjykata.
Qiramarrësit nuk i shpëtojnë shlyerjes së detyrimit sepse qiradhënësi mund të ndjekë çështjen në rrugë ligjore dhe kjo do të rezultojë në më shumë detyrime për palën e parë.
Margarita Kola: Në qoftë se qiradhënësi i tyre do të ketë durimin e nevojshëm dhe do t’i drejtohet gjykatës, ky përveçse qirasë së prapambetur, do të paguajë edhe dëmin e shkaktuar për muajt që ka vonuar qiranë. Qiramarrësi jo se shpëton nga detyrimi, por mënyra e zgjidhjes së kësaj situate duhet rregulluar me ligj që të bëhet sa më efektive dhe në kohë më të shkurtër, por detyrimin e ka, ka më shumë detyrim dhe nuk i shpëton detyrimit.
Në rastet kur kontrata ka tejkaluar afatin dhe nuk është rinovuar, por ka vazhduar shlyerja e detyrimeve nga qiramarrësi, ajo njihet si e rilidhur nga ligji, me të njëjtat kushte dhe afat.
Margarita Kola: Sipas ligjit, kontrata për banesën se gjithmonë kemi parasysh që këto kontradikta lindin për qira se nuk merret me qira vetëm një banesë, mund të merret edhe një mjet a diçka jetër, por kjo lloj problematike ndodh në qiratë për banesat, duhet patjetër që qiradhënësi dhe qiramarrësi, minimumi thotë ligji, duhet ta lidhin kontratën për 5 vjet. Pra, nuk mund ta lidhin më pak se 5 vjet, pavarësisht se ne lidhim edhe kontrata 1-vjeçare. Në qoftë se kontrata kalon 1-vjeçarin, duhet patjetër thotë ligji të jetë në formën e shkruar ndërsa nëse është më pak se 1 vit, mund të bëhet edhe në formë gojore. Edhe kontratat që njerëzit thonë unë nuk kam një kontratë dhe nuk e zgjidh dot këtë çështje, në fakt njihen edhe marrëdhëniet konkludente.
Një nga klauzolat e kontratës së qiramarrjes është lajmërimi 1 muaj para nga ana e qiradhënësit në rast se ai dëshiron të zgjidhë kontratën. Kjo është një nga pikat më të keqkuptuara, shpjegon avokatja.
Margarita Kola: Zgjidhja e kontratës është interpretim i gabuar i zgjidhjes së kontratës. Kjo zgjidhet vetëm strikt për çështje madhore të cilat nuk varen nga vullneti i palëve, nëse ndodh që pala qiradhënëse është shumë e sëmurë, do të largohet fare nga vendi dhe do ta shesë fare atë shtëpi, pra për shkaqe madhore të cilat nuk varen nga vullneti i palëve.
Si çështje të tjera madhore avokatja cilëson mungesën e kapacitetit për të paguar, shembja e objektit etj. Në të gjitha rastet e tjera kur palët nuk bien dakord, prevalon ligji duke përcaktuar se nevojitet arsye madhore./tvklan.al