Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike në periudhën e fundit të vitit 2018 të ngadalësohet për shkak të rënies së prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë Banka Qendrore e sheh rënien e ritmit si një situatë të përkohshme, pasi elementë të tjerë të ekonomisë si punësimi dhe konsumi janë në rritje. Në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko përsëriti dhe njëherë kërkesën e hershme të bankës për autoritetet që të vazhdojnë reformat në ekonomi.
“Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e katërt, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se ai i tremujorëve paraardhës. Analizat tona sugjerojnë se ky ngadalësim pasqyron një kontribut më të ulët të prodhimit të energjisë elektrike dhe pritet të jetë i përkohshëm.”
Gjatë muajit Janar, kursi i këmbimit ka qenë i stabilizuar, ndërsa Guvernatori ia vendosi meritën për këtë balancë të vlerës së lekut, jo vetëm kërkesë-ofertës, por edhe ndërhyrjeve të bankës në treg.
“Kursi i këmbimit u shfaq i qëndrueshëm gjatë muajit Janar, në sajë të një balancimi më të mirë të kërkesës dhe ofertës për valutë, si dhe të reagimit të Bankës së Shqipërisë.”
Gjatë muajit janar vlera e monedhës euro ka qëndruar mes raporteve të këmbimit në tregun vendas mes nivelit 124 dhe 125 lekë. Në Dhjetor lëkundjet e kursit të këmbimit çuan monedhën europiane në vlerat më të ulëta historike të saj.
Tv Klan