Një 46-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka grabitur në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në Euro, Dollarë e Lekë.

Sipas asaj që bën të ditur policia është bërë i mundur sekuestrimi i shumave të parave të vjedhura që arrijnë në rreth 45 milionë Lekë, të vjetra (një pjesë në Euro dhe Dollarë), që 46-vjeçari kishte vjedhur.

Shumat e parave të sekuestruara

Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në zonën e Medresesë, teksa i arrestuari është banues në Elbasan dhe rezulton i dënuar më parë disa herë për vjedhje.

Sipas asaj që raporotn gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, pronarja e makinës është një tregtare shumice dhe paratë janë me burim nga biznesi. Ndërkohë mësohet se autori e ka vëzhguar tregtaren dhe e ka vjedhur kur ka gjetur momentin më të mirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë- Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor  i koduar “Përsëritësi”.

Vodhi në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro,dollar e lekë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.

46-vjeçari, i dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Sekuestrohen rreth 45 milionë lekë, (një pjesë në euro dhe dollarë) që ky shtetas kishte vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i  parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash(rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”., bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4,  u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:

G. T(M)., 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.

Gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar shumën e parave që ky shtetas kishte vjedhur në automjetin e parkuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


/tvklan.al