Nga ferri në parajsë. Keidi Bare shënoi golin e parë sezonal për Malagën edhe pse skuadra nuk mori pikën në transfertën e vështirë me Gijon, me ndeshjen që përfundoi 2-1 për vendasit.
Një gol nderi për Baren, që lë pas periudhën e keqe të javëve të fundit. Dy kartonë të kuq brenda 1 muaji, dy javë ndalesa, por mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk u dorëzua, për t’u kurorëzuar me një gol dhe për të ndalur kritikat ndaj tij. Fieraku realizoi në minutën e 93-të, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit.
Edhe Xhakomo Vrioni u bë protagonist kryesor në mbrëmjen e djeshme për Juventusin U-23. Të rinjtë e bardhezinjve po vuanin në transfertë ndaj Karreses me 2 gola disavantazh, ndeshje e vlefshme për play-off të Serisë C.
Megjithatë, për të shpëtuar ekipin mendoi Vrioni, i cili u aktivizua në minutën e 64. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë më një silurë nga distanca, duke mos i dhënë shanse portierit kundërshtar.
Një gol spektakolar që tregon potencialin e Vrionit, që jo më kot është pjesë e ekipit tonë kombëtar. Juventus U-23 gjeti në fund golin e barazimit, që kualifikon bardhezinjtë në çerekfinalet e play-off.
Vrioni ishte pjesë e ekipit të parë të Juventusit që drejtohet nga Maurizio Sarri, në dy ndeshjet e fundit të Kupës së Italisë, por pa pasur fatin të aktivizohet.
Klan Plus