Përshkallëzohet kriza politike që ka mbërthyer Katalonjën pas arrestimit të ish-liderëve rajonalë. Qindra punonjës të shërbimeve publike në Katalonjë nisën një grevë të përgjithshme, kundër shtypjes nga qeveria qendrore e Madridit. Trafiku rrugor dhe ai hekurudhor në rajonin e banuar nga 7.5 milionë katalanas përfundoi në kaos.
Nuk munguan as përleshjet me forcat e policisë, si në këtë stacion metroje në Barcelonë.
Mbi 30 rrugë e autostrada u bllokuan në orët e para të mëngjesit, duke paralizuar krejtësisht jetën e qytetarëve. Me flamuj e pankarta në duar, protestuesit i bënë thirrje autoriteteve spanjolle të lirojnë të burgosurit politikë.
Në një intervistë për BBC, ministri i jashtëm spanjoll Alfonso Dastis tha se vendi i tij po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese, për t’u dhënë ë drejtën rajoneve të mbajnë referendume pavarësie në të ardhmen, por ky ndryshim do të duhet të kalojë përmes një vote popullore tha ai.
Qeveria e kryeministrit Rahoi po përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të rikthyer normalitetin në Katalonjë. Ish-presidenti katalanas Carles Puigdemont akuzoi sërish autoritetet për represion dhe BE për bashkëpunim me Madridin.
/Tv Klan