Ka shkuar në 59 numri i personave që ndërruan jetë si pasojë e zjarrit në një klub nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut.

Mes viktimave është edhe një punonjës policie, i cili ndodhej në diskotekë pas një plani të përgatitur më parë për praninë e të miturve në klub.

35 prej viktimave janë identifikuar nga autoritetet.

Po ashtu raportohet se mbi 155 persona kanë mbetur të plagosur. 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e grupit ADN.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

Më herët drejtoresha e spitalit të Koçanit bëri me dije se disa prej viktimave ishin të moshave nga 14 deri në 24 vjeç./tvklan.al