Ky është momenti kur fishekzjarrët e ndezur në skenën e klubit të natës “Puls” në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut i vunë flakën tavanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:30 të mëngjesit të kësaj të diele.

Edhe pse flakët ishin të dukshme grupi muzikor maqedonas “ADN” që kishte mbledhur mbi 1500 persona në sallë vijonte performancën.

Përhapja e flakëve ishte e menjëhershme pavarësisht përpjekjeve të stafit për fikjen e tyre. Në videot e publikuara në rrjetet sociale dëgjohet më pas një nga anëtarët e grupit muzikor që u kërkon të pranishmëve të dalin jashtë sepse do të kthehen sërish.

Por jo të gjithë mundën të dilnin në kohë. Sipas të dhënave paraprake, 59 persona kanë humbur jetën dhe mbi 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe që po marrim trajtim në spital.

Mbi 80 nga të plagosurit që janë në gjendje më të rëndë janë dërguar në klinikat e Shkupit. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski njoftoi se janë lëshuar urdhër-arreste për 4 persona.

“Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera, po punojmë hap pas hapi për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie. Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike po siguron dokumentacionin në ministrinë e Ekonomisë për diskotekën në fjalë”, tha Toshkovski.

Shumë njerëz janë mbledhur përpara spitaleve të shqetësuar për familjarët e tyre për të mësuar nëse janë gjallë apo kanë humbur jetën.

Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski që e konsideroi një ditë të rëndë për Maqedoninë e Veriut. Këtë të diel në vendin fqinj janë anuluar të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore.

Tv Klan