Fluksi i shtuar i udhëtarëve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka rritur ndjeshëm tentativat e kalimit të kufirit me dokumente false.
Referuar të dhënave, në 15 muajt e fundit, janë evidentuar 209 raste, ku udhëtarë në hyrje-dalje janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht.
Ergest Skënderaj, përgjegjës turni në Komisariatin e Policisë Rinas, tregon cilët janë udhëtarët më problematikë si dhe qëllimin që ata kanë.
“Kryesisht shtetas të vendeve të treta, grupmosha që përdor dokumente të falsifikuara është 18 deri në 30 vjeç. Nga intervistomi që kemi bërë me ta qëllimi është që në Republikën e Shqipërisë ata vijnë vetëm për arsye tranzitimi”, tha ai.
Në këtë situatë policia thotë se ka rritur ndjeshëm kontrollet.
“Numri i kontrolleve të vijës së dytë ka arritur në shifrën e rreth 20 mijë kontrolle në vit. Është bërë e mundur që t’i jepet një numër kontakti kompanive ajrore të cilët operojnë drejt aeroportit të Rinasit që të bëhet verifikimi paraprak”, tha Skënderaj.
Sa e vështirë është për një punonjës policie, të evidentojë një dokument të falsifikuar?
“Që në sy të parë ai krijon një dyshim në lidhje me dokumentin. E dyta është informacioni që merr në sistem. Historiku i udhëtimeve të tij, intervistomi që bën me personin dhe nga tërësia e këtyre veprimeve krijon dyshime për origjinalitetin e dokumentit. Dokumentin e çon në laborator”, tha Skënderaj.
Nga analizimi i rasteve të konstatuara por dhe analizimi i personave të cilën janë përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin, në pjesën dërrmuese, ata kanë rezultuar të mashtruar, pasi kanë menduar se zotërojnë një dokument të rregullt.
Tv Klan