Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas hyrjes në fuqi të vendimit të ERE për çmimet e reja të energjisë elektrike.
Monitorimi i tregut vjen pas njoftimit të furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, të gjitha marrëveshjet mes subjekteve tregtare për rritjen e çmimit të bukës për konsumatorët përbën shkelje ligjore dhe si pasojë do të ketë masa administrative në vlerën e 10 % të xhiros së vitit të subjektit prodhues dhe tregtar.
“Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme”.
Disa furra ende po operojnë me çmimet e vjetra të bukës.
Por teksa prej ditës së premte kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të energjisë elektrike për furrat, këto të fundit thonë se edhe pse deri tani nuk janë rritur çmimet për konsumatorët, janë të detyruar të rrisin çmimin e bukës.
“Nuk e kemi rritur çmimin e bukës, por për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, edhe ne do të detyrohemi ta rrisim çmimin”.
Pak kohë më parë ERE miratoi çmimet e reja të shitjes së energjisë elektrike për klientët furra buke/prodhim mielli që do të aplikohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) në orar piku 18:00-22:00.
Për furrat e bukës dhe prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 Lekë kw/h, ndërsa çmimi në orar piku është 8.74 Lekë për kw/h.
Ndërsa për furrat e bukës që veprojnë edhe si pastiçeri, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 Lekë kw/h, ndërsa çmimi në orar piku është 10.93 Lekë kw/h.
Ndërsa në kategorinë e tretë ku furrat e bukës veprojnë edhe si pastiçeri dhe bar/kafe, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 Lekë kw/h, ndërsa çmimi në orar pik është 13.80 Lekë kw/h.
Tv Klan