Nga Beogradi kancelari gjerman Olaf Scholz rikonfirmoi mbështetjen për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së me shtetet ballkanike.
Scholz ishte dëshmitar i nënshkrimit të memorandumit mes BE-së dhe Serbisë për importin e mineraleve si litiumi i rëndësishëm për prodhimin e baterive për automjetet elektrike. Serbia ka depozitat më të mëdha të litiumit në Europë, të cilat kapin vleren e fitimit ne 6.5 miliardë Dollarë.
Me rezervat e saj minierale pranë fshatit Jadar Serbia synon që të mbulojë 90 për qind të nevojave aktuale për litium të industrisë evropiane të makinave elektrike si dhe për pajisjet e tjera elektronike të karikueshme.
Presidenti serb konfirmoi se miniera mund të hapet në vitin 2028, duke shtuar se parashikohet pordhimi i 58 mijë ton litium në vit sasi që do të ishte e mjaftueshme për mbulimin me lëndë të parë për prodhimin e rreth 1.1 milion makina elektrike në Europë. Litiumi po luan një rol shumë të rëndësishëm në industrinë e makinave, siç ka luajtur deri më tani nafta.
Industria gjermane ka blerë litium kryesisht nga Amerika e Jugut dhe Australia ndërkohë që Kina është aktualisht prodhuesi kryesor i baterive të litiumit. SHBA-ja dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare në rritje për rezervat e litiumit, të cilat janë thelbësore për lulëzimin e biznesit të automjeteve elektrike në mbarë botën.
Klan News