Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar disa pasuri në pronësi të Sajmir Gjipalit, emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Gjipali i cili njihet nga autoritetet si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, i janë bllokuar, një banesë dy katëshe dhe garazh me sipërfaqe 150 m2 ndërtuar pa leje në Shijak, një lokal me sipërfaqe 96 m2 gjithashtu e ndërtuar pa leje në të njëjtën zonë.
Sipas njoftimit të prokurorisë 50-vjeçarit iu sekuestruan edhe 3 sipërfaqe tokë arë që në total janë 8 mijë metër katror, të ndodhura në Ishëm dhe Lalz.
Ky vendim i Prokurorisë në Durrës vjen pasi Gjipali rezulton i dënuar në Shqipëri dhe në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Në vendin tonë ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 7 vite e 4 muaj pasi rezultoi pjesë e laboratorit të heroinës në Has, ku u goditën 4 grupe kriminale në vitin 2018.
Nga verifikimet deklaron prokuroria se Saimir Gjipali është dënuar edhe nga Gjykata e Milanos me 24 vite e 2 muaj heqje lirie, për pjesëmarrje në organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike.
Nisur nga aktiviteti i tij, autoritetet shprehen se kanë siguruar prova dhe fakte se 50-vjeçari dhe familjarët e tij kanë në pronësi pasuri që nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen se rrjedhin nga trafiku i drogës. Diferenca e pajustifikuar nga burime të ligjshme nga Gjipali dhe familjarët e tij është në vlerën e 30 milionë Lekëve.
U sekuestruan:
Banesë me 2 kate dhe garazh me sipërfaqe ndërtimi 150 m2, e ndërtuar pa leje
Lokal “Njësi” me 1 kat, i ndërtuar pa leje me sipërfaqe ndërtimi 96 m2
Tokë “Arë” me sipërfaqe 4.000 m2 në fshatin Lalëz
Tokë “Arë” me sipërfaqe 2.000 m2, në njësinë Administrative Ishëm
Tokë “Arë” me sipërfaqe 2.002 m2 në njësinë Administrative Ishëm
Klan News