Sa herë mund të keni shprehur dëshirën që të keni një palë tjetër duarsh teksa mund të jeni duke nxituar për të kryer punët e shtëpisë apo për të mbajtur qeset kur ktheheni nga dyqani?

Tani njerëzimi ka mundësinë ta realizojë këtë përmes një gishti të madh robotik.

Gishti i Tretë, i dizenjuar nga shkencëtarët e Kembrixhit lidhet në dorë në pjesën fundore të pëllëmbës, poshtë gishtit të vogël. Ai kontrollohet përmes një sensori poshtë secilës këmbë ose gishtit të madh të  saj. Presioni i ushtruar nga këmba e djathtë e tërheq gishtin, ndërsa nga e majta e drejton te gishtat e tjerë.

Heqja e presionit e lejon të kthehet në pozicionin fillestar.

Një nga synimet e këtij gishti është që të ndihmojë trupin e njeriut dhe të kryejë funksione si qërimi i një bananeje, hapja e shisheve apo të luajë me letra duke përdorur vetëm njërën dorë.

Ekipi tha se pajisja është shumë e lehtë për t’u përdorur pasi është testuar j jatë një ekspozite shkencore në vitin 2022 në mbi 600 persona që i përkisnin moshave nga 3-96 vjeç. Prej tyre, vetëm 4 persona nuk arrinin ta menaxhonin sepse nuk përshtatej si duhet me dorën e tyre ose siç ndodhi në rastet e fëmijëve të vegjël që nuk e komandonin dot.

Brenda një minuti, pjesa më e madhe e njerëzve mund ta komandonin lehtësisht dhe të kryenin veprime të ndryshme si  lëvizja e sendeve nga një vend të tjetri.

Ekipi kërkimor theksoi rëndësinë e testimit të teknologjisë së re në një masë të madhe njerëzish për t’u siguruar që mund të funksionojë për të gjithë.

Ndonëse tani pajisja mund të përdoret për të kryer vetëm funksione të thjeshta, demonstron potencialin e robotikës për të aftësuar trupin e njeriut përtej kufizimeve biologjike./tvklan.al