Ushtria amerikane ka konfirmuar se dërgesa e ndihmës së parë përmes një skele lundruese ka dalë në breg. Komanda e SHBA deklaroi përmes një postimi në rrjetin social “X” se kamionët e ndihmës nisën të lëviznin në breg mëngjesin e sotëm.

“Kjo është një përpjekje e vazhdueshme dhe shumëkombëshe për të ofruar ndihmë shtesë për civilët palestinezë në Gaza nëpërmjet një korridori detar”, thuhet në postim ku shtohet se asnjë trupë amerikane nuk ka dalë në breg.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se personeli britanik ka punuar me homologët amerikanë për të ndërtuar dhe operuar me skelën.

“Skela e re operacionale në brigjet e Gazës do të mundësojë kamionë me ndihma humanitare të arrijnë tek palestinezët në nevojë të madhe”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps.

SHBA filloi ndërtimin e bazës lundruese javë më parë për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon fushatën e tij ushtarake kundër Hamasit.

Megjithatë, OKB-ja ka paralajmëruar se korridori detar nuk është një zëvendësim për rrugët tokësore, të cilat shihen si mënyra më e shpejtë dhe më efektive e dhënies së ndihmës. Sipas Komandës Qendrore të SHBA, në ditët në vijim rreth 500 ton ndihma pritet të hyjë në Gaza./tvklan.al