Që nga 15 Shtatori, kompanitë amerikane janë ndaluar të furnizojnë ose shërbejnë kompaninë e teknologjisë Huawei. Këto sanksione erdhën si pasojë e raporteve jo të mira që SHBA-ja dhe Kina kanë për momentin. Përveç kësaj Uashingtoni ka shtyrë qeveritë anembanë botës për të refuzuar Huawei-n, duke argumentuar se gjiganti i telekomunikacioneve do të përdorte dhe t’i dorëzonte të dhënat personale qeverisë kineze për spiunazh.
Huawei ka mohuar akuzat për spiunazh duke thënë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shpifin për arsye se firmat perëndimore janë prapa në teknologjinë 5G.
Sipas agjencise së lajmeve Reuters, më në fund, një zëdhënës i kompanisë Intel Corp ka bërë të ditur se këtë javë kompania ka marrë leje nga shteti amerikan, për të furnizuar me disa produkte Huawei.
Disa vëzhgues e kanë analizuar këtë situatë si shqetësuese dhe e kanë krahasuar me garën e armëve në Luftën e Ftohtë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë frikë se dominimi 5G do t’i jepte Kinës një avantazh të cilin Uashingtoni nuk është i gatshëm ta pranojë./tvklan.al