Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dy kompanive kineze dhe një kompanie ruse për përfshirjen në prodhimin dhe dërgimin e dronëve që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.
Dy kompanitë kineze që u sanksionuan nga Departamenti amerikan i Thesarit janë Xiamen Limbach Aircraft Engine Company dhe Redlepus Vector Industry Shenzhen.
Xiamen Limbach Aircraft Engine Company prodhon motorin për dronët me rreze të gjatë veprimi, Garpiya të Rusisë, tha Thesari amerikan. Redlepus Vector Industry Shenzhen është i përfshirë në dërgimin e dronëve sulmues, u tha në deklaratën e Thesarit.
Një shtetas rus dhe një kompani ruse e lidhur me dy kompanitë kineze po ashtu janë pjesë e sanksioneve të bëra publike më 17 Tetor. I sanksionuari është identifikuar si Artem Yamshchikov, drejtor i përgjithshëm dhe pronar i TSK Vektor, që shërben si kompani ndërmjetëse për një kompani tjetër ruse dhe furnizuesit me bazë në Kinë, që më herët ishin sanksionuar për shkak të projektit të Rusisë për dronët Garpiya.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet e reja janë sanksionet e para që SHBA-ja ka vendosur kundër entiteteve kineze për prodhimin e sistemeve të armëve në bashkëpunim me kompani ruse. Sanksionet paraprake kishin shënjestruar entitetet kineze që ofronin komponentë kritikë për industrinë ushtarake të Rusisë.
“Rusia gjithnjë e më shumë po varet nga ekspertiza e profesionistëve të huaj dhe nga importi i teknologjive të sofistikuara për të mbajtur programin e saj të armëve dhe për të shtyrë përpara fushatën e saj ushtarake kundër Ukrainës”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.
Droni Garpiya përdoret nga Rusia në luftën kundër Ukrainës dhe ky lloj droni ka shkatërruar infrastrukturë kritike dhe ka shkaktuar viktima të shumta, tha Thesari.
Droni është dizajnuar dhe zhvilluar nga ekspertët në Kinë dhe prodhohet në fabrikat në Kinë, në bashkëpunim me kompanitë ruse të mbrojtjes, para se të transferohet në Rusi për t’u përdorur kundër Ukrainës, sipas Departamentit amerikan të Thesarit.
Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirjen e aseteve që kanë individët dhe kompanitë në juridiksionin amerikan./REL