Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të zhgënjyera nga aksioni i qeverisë “Kurti” për mbylljen e 5 komunave ilegale në veri të Kosovës. Në një reagim në rrjetet sociale Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, teksa mbështeti deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, i bëri thirrje urgjente kryeministrit Albin Kurti që të ndalë veprimet e pakoordinuara me miqtë ndërkombëtar.
“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët. I bëjmë thirrje urgjente kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”
Shtetet e Bashkuara theksojnë se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe se veprimi i fundit i autoriteteve të Prishtinës nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas SHBA këto veprime të njëpasnjëshme reflektojnë një përkeqësim real të partneritetit mes Prishtinës dhe Uashingtonit.
Për situatën në veri të Kosovës ka reaguar edhe zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakh-lallah, e cila në një koment në rrjetin “X” është shprehur e zhgënjyer nga aksioni i Policisë së Kosovës për të mbyllur objektet e komunave ilegale serbe në këtë zonë.
“Shumë të zhgënjyer nga aksionet e djeshme në veri të Kosovës të cilat nuk ishin të koordinuara me KFOR-in pavarësisht premtimeve të përsëritura për ta bërë këtë.
KFOR-i është plotësisht i përgatitur për të mbështetur mandatin e tij të OKB-së sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Duhet depërshkallëzimi dhe angazhimi i plotë në Dialogun e BE-së, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Tv Klan