Zbulohet elementi i fluorit në një galaktikë jashtë Rrugës së Qumështit. Me anë të radioteleskopit Alma të Observatorit Evropian Jugor që ndodhet i pozicionuar në Andet e Kilit është bërë i mundur vrojtimi që për shkencën është mjaft i rëndësishëm, pasi ngushtohet rrethi ndaj yjeve që e kanë këtë element kimik në univers.
Kjo galaktikë ndodhet larg 12 miliardë vite dritë, quhet NGP-190387 dhe fluori është dalluar në mjegullnajat e gazit. Shkencëtarët shpjegojnë se yjet lëshojnë element që formohen në bërthamë kur arrijnë në fund të ekzistencës së tyre dhe sipas zbulimit të fundit rezulton se yjet që kanë lëshuar fluorin kanë ekzistuar vetëm disa miliona vite, që në historinë e universit janë shumë pak.
Në këtë galaktikë dallohet se si ishte universi kur kishte një moshë prej vetëm 1.4 mld vitesh, që përbën 10% të moshës aktuale. Për këtë galaktikë pra janë dashur vetëm pak miliona vite për të patur nivele të fluorit të krahasueshme me ato të gjetur në Rrugën e Qumështit, galaktikën tonë, që është 13.5 miliardë vjeç.
Zbulimi shënon një ndër të parat prova për gjetjen e këtij elementi jashtë Rrugës së Qumështit apo në galaktika të tjera të afërta, sikurse edhe në një moshë kaq të hershme të Universit.
Klan News