Vrasja e gjeneralit iranian nga SHBA ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme. Në kryeqytetin iraken, në Bagdad, pati dy shpërthime të fuqishme në zonën e sigurtë, ku ndodhet edhe ambasada amerikane. AFP raporton se sulmi u krye me mortaja. Ndërsa baza ajrore Al-Badad në veri të Bagdadit, ku ndodhen trupa amerikane, u godit nga dy raketa. Nga raportimet e deritanishme, nuk ka informacion për viktima nga këto sulme.
Një ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi shtetasit e saj që të largohen me urgjencë nga Iraku, ndërsa shërbimet konsullore në ambasadën e SHBA në Bagdad janë pezulluar deri në një njoftim të dytë. Uashingtoni i druhet një sulmi ndaj bazave të saj dhe misionit diplomatik amerikan në Irak pas vrasjes së gjeneralit iranian. Qasem Soleimani u vra në Bagdad nga një sulm ajror me dron të kryer nga SHBA.
Vrasja e tij u kryer me urdhër të Presidentit Donald Trump, i cili e konsideroi si një masë mbrojtëse. Qasem Soleimani ishte gjenerali më i lartë i Iranit dhe komandant i njësisë speciale Quds. Ai konsiderohej si arkitekti i sigurisë së Iranit, ndërsa nga SHBA akuzohej si organizatori i shumë sulmeve dhe që po komplonte disa të tjera ndaj trupave dhe zyrtarëve amerikanë.
Vrasja e tij ka rritur në maksimum tensionet mes SHBA dhe Iranit. Ky i fundit është zotuar për hakmarrje, ndërkohë që sot u mbajt ceremonia mortore e Soleimanit ku nëpër rrugë marshuan një numër i madh qytetarësh duke brohoritur me thirrje kundër Amerikës. /tvklan.al