Shqipëria dhe 127 shtetet që votuan me 21 Dhjetor në OKB kundër vendimit të Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit rrezikojnë të mos përfitojnë me fonde amerikane.
Në fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit Presidenti Trump i propozoi Kongresit që të miratojë një ligj që tani e tutje miliona dollarë amerikanë që jepen në formë ndihme financiare t’u shkojnë vetëm miqve të Amerikës.
“Muajin e kaluar ndërmora një hap të miratuar njëzëri nga Senati vetëm pak muaj më parë: Njoha Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Pak më vonë, dhjetëra vende votuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër të drejtës sovrane të Amerikës për ta bërë këtë njohje. Taksapaguesit amerikanë u dërgojnë me bujari këtyre vendeve miliarda dollarë ndihma çdo vit. Kjo është arsyeja përse sonte po i kërkoj Kongresit të miratojë një ligj që dollarët amerikanë për ndihmat e huaja t’u shërbejnë gjithmonë interesave amerikane dhe t’u shkojnë vetëm miqve të Amerikës. Ndërsa forcojmë miqësitë në mbarë botën, ne gjithashtu po rikthejmë qartësinë se cilët janë kundërshtarët tanë”.
Pritet të shihet në muajt në vijim nëse kjo nismë e Trump për të ndëshkuar shtetet që ai tashmë i konsideron armike do të marrë votat e kongresmenëve.
Në fjalimin para Kongresit në 1 orë e 20 minuta, Trump garantoi për marrjen e shtetësisë nga 1.8 milionë emigrantë të paligjshëm të sjellë në SHBA nga prindërit e tyre në një moshë të re. Trump konfirmoi dhënien fund të lotarisë së vizave. si dhe ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Presidenti Trump tha se me ardhjen e tij në pushtet u krijuan 2.4 milion vende të reja pune, u shkurtuan taksat dhe janë planifikuar triliona dollarë për riparimin e rrugëve, urave, si dhe modernizimin e aeroporteve. Presidenti paralajmëroi rritjen e fondeve për armët bërthamore dhe për mposhtjen e ISIS.
Klan Plus