Këto janë pamjet e arsenalit të armëve të sekuestruara që Policia e Tiranës dhe ajo kosovare sekuestroi pas goditjes së një grupi prej 10 personash, të cilët kryenin trafik armësh dhe kokaine mes dy vendeve.
Hetimet lidhur me këtë grup nisën në muajin Shkurt nga policia pas informacioneve se 38-vjeçari Valter Osmani ishte në krye të këtij aktiviteti kriminal.
“Në total, gjatë hetimeve janë sekuestruar 64 armë zjarri dhe municione luftarake, ku 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 41 armë janë sekuestruar në Kosovë. Janë ndaluar gjithsej 10 shtetas, 6 prej të cilëve më datë 11.12.2024”, deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se grupi në përbërje të së cilëve kishte shtetas nga Kosova dhe Shqipëria, kryenin trafikun e armëve me klering.
Konkretisht armët e zjarrit të cilat vinin nga Kosova shkëmbeheshin me kokainë në Shqipëri.
I tillë ishte dhe rasti i pak ditëve më parë që u godit nga agjentët e antidrogës në kryeqytet ku në pranga ra i riu Euxhenio Manushi.
Procesi i shkëmbimit të armëve më kokainë është dokumentuar nga policia dhe kryhej në banesën e 38-vjeçarit Valter Osmani në zonën e Kombinatit në kryeqytet.
Nga hetimet e deritanishme, mësohet se policia shqiptare dhe ajo kosovare kanë zbuluar dhe mënyrën e sigurimit të armëve dhe lëndës narkotike që shkëmbehej me to, për të cilat po kryhen verifikime me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Tv Klan