Kombëtarja shqiptare e femrave u mund në sfidën e parë kualifikuese për Kampionatin Europian “Zvicër 2025”. Kuqezezat u mposhtën në transfertë nga Luksemburgu me rezultatin 2-1.
Në stadiumin “Émile Mairish”, në minutat e para, të dyja ekipet bënë një lojë të barabartë. Rasti i parë i rrezikshëm u regjistrua nga vendasët në minutën e 15-të, teksa portierja Viona Rexhepi shpëtoi Shqipërinë nga goli.
Në minutën e 31-të, vajzat kuqezi gjetën rrugën e rrjetës me kapitenen Megi Doçi, por goli u anullua për pozicion të parregullt.
Në vijim Shqipëria u tregua më kërkuese dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 43-të me Luçije Gjinin.
Luksemburgu barazoi ndeshjen në minutën e 68-të me Charlotte Shhmit. Në fund të sfidës realizuan edhe golin e dytë me Amy Thompson.
Më datën 9 Prill në orën 20, Shqipëria e vajzave do të luajë takimin e dytë kualifikues ndaj Estonisë në stadiumin “Air Albania”.
Dyert e stadiumit do të jenë të hapura për të gjithë tifozët.
Klan News