500 milionë Euro borxh në tregjet ndërkombëtare
Shqipëria do të dalë sërish në tregun ndërkombëtar për të emetuar një Eurobond të ri, i cili do të rinovojë një pjesë të bondit të vjetër dhe do të synojë marrjen e një borxhi të ri në tregjet ndërkombëtare. Vlerësohet se nevojat për marrjen e këtij borxhi arrijnë në 500 milionë Euro, ndërsa procesi do të nisë në pjesën e parë të vitit, tha ministrja e Financave Anila Denaj gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.
Kjo është hera e katërt që qeveria po përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në tregjet ndërkombëtare. Risku i daljes në këto tregje lidhet me normën e interesit që ofrojnë investitorët, por nga ana tjetër Eurobondi nuk ezauron fondet e bankave për t’i dhënë borxh qeverisë, dhe i jep asaj mundësi të marrë hua në një shumë më të madhe.
Dalja në treg e Eurobondit nuk do të thotë rritje e borxhit publik, por diversifikim i huave sovrane që merren. Normat e interesit të tij, përcaktojnë edhe besimin që kanë tregjet në ekonominë shqiptare. Për vitin e ardhshëm, Ministria e Financave vlerëson që të ulë borxhin publik në 62.2% të prodhimit të brendshëm bruto, duke mbajtur një politikë konservatore në shpenzimet publike.
Tv Klan