Trajneri Ernest Gjoka, analizoi në Klan News, ecurinë e Kombëtares shqiptare, pas dy humbjeve në Ligën e Kombeve.

Ai deklaroi se ekipi duhet të ndryshojë mentalitet. Sipas tij, problemi i Shqipërisë është se ngopet me pak.

“Duhet të ndryshojmë marsh dhe mentalitet. Nuk është çështje këmbësh, është çështje koke. Si do e ndërtosh, ashtu do arrish edhe objektivat.

Nga ana taktike, ne e kemi një filozofi dhe një skuadër. Lojtarët më të mirë të mundshëm janë në fushë. Personalisht mendoj që nga problemet që e kemi në gjenetikën tonë, është se ne ngopemi me pak. Ne duhet të kemi uri. Nëse na mungon uria dhe ngopemi me atë që kemi arritur, nuk kemi mundësi të shkojmë më lart. Prandaj them që është çështje mentale.”

Gjoka ndër të tjera theksoi se lojtarët duhet të sakrifikojnë për ekipin, ndërsa shtoi se trajneri Silvinjo ka ndërtuar skuadër të mirë dhe duhet mbështetur.

“Duhet të luftojmë dhe të sakrifikojmë për ekipin. Nëse të gjithë japin maksimumin, do të marrim maksimumin. Futbolli i tillë është.

Silvinjo ka ndërtuar një skuadër të mirë. Po ecën mirë, por luhatje ka çdo tyrajner. Ne duhet vetëm ta mbështesim. Gabime mund t’i gjejmë edhe Guardiolës. Te lojtarët duhet përqendrimi dhe sakrifica. Nëse bëjnë me sukses gjerat teknike, kemi potencial për të marrë një rezultat pozitiv në Gjeorgji.

Mendoj se një humbje në Tbilisi, nuk do të shkaktonte asgjë. Thjesht do përqendrohej më shumë stafi dhe trajneri, për të gjetur më të mirën e mundshme dhe ato që gabuan në dy ndeshje, t’i korrigjojnë në të ardhmen. Liga e Kombeve na jep mundësinë për të përmirësuar gabimet”, deklaroi Gjoka.

Shqipëria përballet me Gjeorgjinë këtë të hënë në Tbilisi, në orën 18:00, sfidë e cila vjen ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al