Për herë të 15-të në histori, “Giro D’Italia” do të zhvillohet jashtë territorit italian, me atë të radhës që do të mbahet në vendin tonë majin e vitit të ardhshëm.

Në një ceremoni të veçantë, kryeministri Edi Rama, përfaqësuesi i kësaj ngjarje sportive, Paolo Bellino dhe ministrja e Sportit, Ogerta Manastirliu zbuluan detajet e garës.

“Kemi marrë konfirmimin se Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. E di që ka shumë vende që konkurrojnë për këtë dhe jam më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj dhe më të pasur. Do tregojmë vendin tonë të mrekullueshëm për 800 milionë teleshikues nga e gjithë bota. Më vjen mirë që do fillojë këtu sepse biçikleta është mjeti i vetëm që unë di t’i jap dhe nuk bëj shaka. Jemi një Itali në anën tjetër të detit, ku të gjithë do përfshihen për këtë pritje të madhe. Kjo është hera e parë për ne, por shpresoj që jo e fundit. Për ata që nuk e ndjekin çiklizmin, me këtë turne mund të them se është njësoj si të kishim këtu Cristiano Ronaldon, por me biçikletë”.

Ministrja e Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se kjo ngjarje do të përfshijë territorin e tre bashkive për të promovuar siç duhet bukuritë e vendit tonë.

Gara çiklistike është ndër më të famshme sportive në botë, ngjarje e cila do të transmetohet në mbi 200 shtete të Botës.

Klan News