Këto janë pamjet brenda magazinës në zonën e Selitës në kryeqytet brenda së cilës kultivohej kanabis me anë të llambave. Siç duket bimët narkotike rriteshin në vazo plastike.
Për këtë veprimtari të paligjshme të zbuluar nga policia, u arrestuan shtatë persona, tre prej të cilëve punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ata janë Erlind dhe Reshit Tresa, Asqeri Likaj, Elvis Lala, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali.
Punonjësit e OSHEE sipas policisë nuk kanë konstatuar lidhjet e energjisë elektrike dhe akuzohen për shpërdorim detyre. Të ndaluarit e tjerë akuzohen për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Të pandehurit akuzohen se kanë përshtatur një tunel nga kati i parë në katin e dytë të magazinës, për kultivimin e kanabisit me anë të llambave. Për këtë rast është shpallur në kërkim një tjetër person ndërsa është proceduar penalisht edhe një 39-vjeçare e cila ka pasur dijeni për këtë veprimtari kriminale dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente.
Policia mësohet se ka gjetur dhe sekuestruar 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave”.
Magazina ndodhet në rrugën Hamdi Pepa në Selitë, ku kati i parë është në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ndërsa kati i dytë është privatizuar nga 3 persona.
Klan News