Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 nga 7 personat e arrestuar për shtëpinë e barit që u zbulua pak ditë më parë në zonën e Selitës në kryeqytet. Masë shtrënguese “arrest në burg” u caktua për Erlind Tresën, Asqeri Likajn dhe Elvis Lalën. Ata akuzohen për kultivim kanabisi të kryer në bashkëpunim.

Për 3 punonjësit e OSHEE të akuzuar për shpërdorim detyre dhe Reshit Tresa që jetonte pranë vendit ku ishte kultivuar kanabisi gjykatës caktoi masën e arrestit shtëpiak. Ndërsa, personi që ka organizuar kultivimin e kanabisit është 46-vjeçari Sajmir Karaj është shpallur në kërkim nga policia.

Sipas Prokurorisë së Tiranës 46-vjeçari kishte ndërtuar një tunel që lidhte godinën të përshtatur për kultivim kanabisi me banesën e tij duke shtruar dhe tubacion për vaditje.

Gjatë operacionit të koduar tuneli, policia gjeti dhe sekuestroi 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre u asgjësuan me anë të djegies ndërsa 10 janë të tjerat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme). Gjithashtu u konstatuan edhe 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave.

Kati i dytë i objektit është privatizuar nga 3 persona, ndërsa kati i parë rezulton se përdoret si magazinë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Klan News