Shtyrja e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për vitin e ardhshëm, derisa të përcaktohen çmimet e referencës në gjithë territorin e Shqipërisë, do të sjell bllokim të tregut imobiliar.
Sipas drejtorit të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria, vendimi Ministrisë së Financave për shtyrja e rivlerësimit të banesave do të shtojë presionin në treg, madje do të ndikojë dhe në rritjen e çmimeve.
Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i “NAREA”: Përkthehet në një presion inflacionist, një presion për të rritur çmimet për ata të cilët e kanë emergjente për të blerë një apartament apo një shtëpi të parë dhe efekti i dytë mund të jetë në një moment kur ky presion mund të çojë në rritjen e informalitetit gjë të cilën e kemi parë të ndodhë në vitet kur nuk ka një normë të korrigjuar të tatimit, siç është rivlerësimi.
Sipas ekspertit çmimet e reja të referencës janë miratuar, për bashkinë e Tiranës prej Gushtit të 2023, e cila përbën mbi 50% të tregut dhe kjo shtyrja në kohë është e paqartë.
Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i “NAREA”: Në Korrik të 2023, 55% e volumit të tregut, pra që është Tirana u përball me çmimet e reja të referencave. Kemi mbi një vit që grupi i punës po punon dhe në arsyetimin tonë nuk qëndron një shtyrje akoma më tepër e zbardhjes së çmimit të referencave për pjesën tjetër të Shqipërisë. Pjesa tjetër e Shqipërisë është bregdeti, qytetet e tjera kryesisht nuk kanë volum transaksionesh dhe është shumë e thjeshtë për të dalë me çmim reference në atë pjesë.
Sipas ekspertit Pipiria mosmiratimi i projektligjit, për rivlerësimin e pronave me 5 % i cili parimisht duhet të hynte në fuqi në fund të muajit Shtator, ka sjellë ngrirje të transaksioneve në vend.
Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i “NAREA”: Ka pasur një ngërç total të tregut, sepse të gjithë ishin duke pritur sidomos në situatën e tregut të shitësit, pra shitësit ishin duke pritur do e nxjerr pronën në treg, hajde të gjejmë një blerës potencial, por kemi bërë llogaritjet me 5%, jemi duke pritur që të ndodhë 3% apo 5% që të mund të finalizohet transaksioni. Ka pasur një staniacion në treg. Na rezulton që i mungojnë tregut 1 miliardë euro dhe i mungojnë arkës së shtetit të paktën 56 milionë euro që vijnë nga tatimi mbi fitimin kapital nga individët.
Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme sugjeron që rivlerësimi të nis për Tiranën, duke qenë se që çmimet e reja të referencave janë në zbatim prej gushtit të 2023, dhe qytetarët por edhe ndërtuesit, taksën e pronës te fatura e ujit, dhe detyrimit fiskale i paguajnë me çmimet e reja të rritura.
Klan News