Shtresa e mesme në Shqipëri e ka shumë të vështirë që të blejë një apartament për banim. Ndaj Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri i kanë propozuar qeverisë një taksim lehtësues për shtëpinë e parë të banimit, bazuar kjo dhe në një studime që ata kanë bërë për vendet e OECD.

“Kemi kryer një studim për të gjitha vendet e OECD-së, në 2/3 e vendeve, pra 66-70% në vendet e OECD-së, tregtimi i apartamentit që shërben si rezidencë parësore është i përjashtuar totalisht. Prandaj ne propozojmë gjithmonë një taksim jo kaq agresiv, 15%, por më të ulët, sidomos të përjashtuar për pronën që është rezidencë parësore sepse e dimë që është më mirë që këto paratë të shkojnë në kanale zyrtare sesa padashje të joshen dhe të shkojnë në informalitet. Po vajte në informalitet, shtresa e mesme e shqiptarëve do ta ketë shumë të vështirë për të përfituar”, thotë Reinaldo Pipiria.    

Duke iu referuar të dhënave të Censit të popullsisë dhe të banesave të 2023, në Tiranë rezultojnë rreth 40 mijë apartamente bosh, ndaj drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria thotë se masat lehtësuese për strehim janë të domosdoshme.

“Kjo është një arsye tjetër përse ne i drejtohemi Ministrisë së Financave që kemi 40 mijë apartamente sipas Censit, INSTAT-it që janë bosh. Këto apartamente, nëse ka një politikë jo kaq agresive fiskale, pra mundësia për ta tregtuar, rivlerësuar dhe ta nxjerrin në treg me 3 dhe 5% është shumë më e thjeshtë që të vihen në përdorim dhe t’i shërbehen këtyre qytetarëve ndërkohë që rrinë bosh. Të ndejturit bosh nuk ndihmon asgjë, është kapital i bllokuar ndërkohë që ke një shtresë të shoqërisë, të paktën rreth 20% sipas Censit nuk banojnë në apartamentet e tyre, në banesat e tyre, ke 20% që duhet ta ndihmosh të strehohet”, tha Pipiria.

Sipas ekspertit, presionin për strehim e ka rritur edhe tregu i qerave ditore, pasi rreth 31 mijë njësi janë larguar nga tregu i qirave afatgjata për të hyrë në tregun e Airbnb. Ndërkohë që mungesa e një vendimi nga ana e qeverisë për rivlerësimin e pronave po sjell pasoja negative në ketë sektor, por edhe në ekonomi.

Klan News