Ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri dhe elasticitetit të konsiderueshëm përballë sfidave të njëpasnjëshme që kanë goditur vendin gjatë viteve të fundit.

Sipas Ministrisë së Financave, në tërësi, rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi, investimet, por edhe nga ecuria mjaft e mirë e shërbimeve nga turizmi.

Inflacioni i çmimeve të konsumit vazhdoi prirjen rënëse të shpejtë gjatë vitit 2024. Rënia u nxit si nga vlerësimi i vazhdueshëm i Lekut veçanërisht kundrejt Euros, monedhës kryesore të shkëmbimeve tregtare. Sa i përket të dhënave në muajin Dhjetor 2024 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.1%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4%. Inflacioni mesatar pёr periudhën Janar–Dhjetor të vitit 2024 rezultoi 2.2%.

Duke u ndalur tek projeksionet në të ardhmen, Ministria e Financave, parashikon një rritje ekonomike në normën 3.9% për këtë vit dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim të 2026-2028, parashikohet mesatarisht të arrijë në rreth 4% në vit. Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe nga investimet.

Më tej, sipas Ministrisë së Financave investimet totale në ekonomi parashikohet të rriten në terma reale mesatarisht në rreth 4.6% në vitet 2026-2028, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.1 pikë përqindje në vit.

Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, edhe punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.1% në vit gjatë 2026-2028.

Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës.

Klan News