Njohjet e reja që shndërrohen në makthe
Cënimi i privatësisë përmes rrjeteve sociale është shndërruar në një kërcënim serioz. Persona të caktuar, pasi njihen paraprakisht në rrjete të tilla, i zhvillojnë bisedat e tyre edhe në aplikacione të tjera. Kështu, ata shkojnë deri në dërgimin e fotove dhe videove intime.
Këto foto dhe video përdoren më pas si një mënyrë për të shantazhuar me qëllim zhvatjen e disa të ardhurave apo edhe përfitimeve seksuale. Grupmosha më e rrezikuar është ajo e adoleshencës.
Të paktën, kështu tregojnë statistikat e siguruara nga referencat e bëra në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por edhe në prokuroritë e rretheve të tjera.
Burime zyrtare nga ky institucion pohojnë për Klan Plus se kemi një dyfishim të rasteve të referuara, që kanë të bëjnë me atë të shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënie të pasurisë. Fenomeni i tillë, në fakt ka ngritur shqetësimin edhe të vetë punonjësve të organit të akuzës. Jashtë kamerave ata shprehen se shoqëria jonë po e ushqen këtë lloj abuzimi. Sociologët dhe psikologët gjithashtu ndiejnë kanosjen që po u bëhet sidomos grupmoshave të caktuara.
Veç aplikacioneve si Instagram, Whatsapp, Messenger apo SnapChat e Tik Tok, që gjejnë përdorim të gjerë, ekzistojnë disa rrjete të tjera. Një ndër to është edhe rrjeti “ParajsaChat”, përmes të cilit mund të njohësh mijëra njerëz që disponojnë një të tillë.
Por njohje të tilla, shpesh përfundojnë zhgënjyese e madje edhe fatale. I tillë është një nga rastet e referuara në Prokurorinë e Tiranës, dhe pas tij, vijnë edhe dhjetëra të tjerë, me të njëjtën përmbajtje.
Njohja e I.P. me djalin nga Kukësi, I.B. nisi në fillim të Majit të një viti më parë. Bisedat e para nisën në aplikacionin ‘ParajsaChat’, vajza logohej me emrin “Kejsi”, ndërsa djali me ermin “Borat”.
Pas shkëmbimit të numrave të telefonit, ata kanë vijuar bisedat në aplikacionin Whatsapp. I.B. i ka kërkuar takime herë pas here, por adoleshentja, nxënëse në gjimnazin ‘Petro Nini’, nuk ka pranuar. Kjo ka irrituar 22-vjeçarin.
Kërcënimet kanë shkuar deri në atë pikë, saqë nga ana e I.B. janë kërkuar edhe para.
Përballë një situate të tillë, vajza është larguar nga shtëpia për disa orë. Me mbërritjen në shtëpi ka humbur ndjenjat. Ka qenë gatishmëria e mamasë e cila e ka dërguar në spital. Aty i është kërkuar nga mjeku që vajzën ta dërgojë tek një psikolog, nga ku është zbuluar edhe historia. Tashmë, autori i kësaj ngjarjeje rezulton të jetë në shtetin anglez, ndërsa ndaj tij në Shqipëri zhvillohet një proces gjyqësor në mungesë.
Gazetare: Aida Topalli
Klan Plus