Prokuroria nuk e ankimoi vendimin e Gjykatës

Fatjon Murati, përfshirjet e të cilit në botën e krimit dyshohet se u bënë shkak për ngjarjen e rëndë në Don Bosko me 1 të vrarë dhe 5 të plagosur, i shpëtoi “Arrestit në burg” nga zbutja e akuzës së ngritur ndaj tij. Ai u arrestua nën dyshimin se kishte një arsenal armësh të gjetura që në muajin Korrik në Tiranë.

Por më 28 Dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës argumentoi se ai nuk kishte precedentë penalë, një qëndrim ky i mbështetur nga Gjykata që e la në “arrest shtëpie”, siç duket nga ky dokument që disponon Tv Klan.

“Nga të gjitha të dhënat që organi i Prokurorisë disponon deri në këto momente, i pyetur edhe në seancë gjyqësore nga Gjykata, Prokurori ka sqaruar se, rezulton që i pandehuri, është i pa-dënuar me parë, dhe nuk ka të dhëna konkrete, të dokumentuara, bazuar në të cilat të krijohet dyshimi i arsyeshëm se ai ka kryer ndonjë aktivitet me karakter kriminal të mëparshem, apo të jetë aktualisht nën ndonjë hetim apo procedim penal tjetër, në kuadër të ndonjë aktiviteti kriminal. Nuk provohet të ketë rekorde kriminale të mëparshme.”

Por për të njëjtin person, e njëjta prokurori, e cila ka të hapur ndaj tij një hetim për pasurinë dhe i ka sekuestruar 3 pasuri të paluajtshme dhe 3 biznese, 3 dite pasi gjykata e la në burg në Tetor për asenalin e armëve, mban një tjetër qëndrim.

Në vendimin e Gjykatës për sekuestron e pasurive të tij, në argumentin se pasuria e tij duhet të sekuestrohet, Prokuroria e Tiranës përmend se ai ka precedentë penalë në Itali.

“Fatjon Murati rezulton momentalisht i kërkuar në nivel kombëtar për Më datë 31.10.2015 për evazion nga masa alternative në burg, nëpërmjet masës së vendosur nga Gjykatesi për Hetimet Paraprake të Gjykatës së Trevizos. Më datë 07.11.2015 Gjykata e Trevizos ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin për veprën penale të “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”. Me datë 26.04.2016 Gjykata e Venecias ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin për veprën penale të “Pjesëmarrjes në krime”. Me date 26.07.2017 në përfundim të aktivitetit te quajtur “Cosmopolis” në kuadër të procedimit penal prane autoriteteve gjyqësore të Padovas, është raportuar për veprën penale te “Trafikimit të kokainës””

Edhe pse u la në arrest shtëpie, ai nuk e respektoi këtë masë. Policia thotë se kontakti i fundit me të ka qenë data 7 Mars, kur një oficer ka kryer procedurën e verifikimit të arrestit në shtëpinë e tij.

Tv Klan