Protesta e naftëtarëve po përdoret politikisht
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci, pranon se detyrimet për pagat e prapambetura të naftëtarëve të Ballshit janë të shoqërisë ARMO dhe tregon se shuma e tyre, bashke me kamatëvonesat në vite arrijnë vlerën e 8 milionë eurove.
Taf Koleci tregon vendimet e gjykatave për 505 punonjës të ndjekura nga ai, ndërsa thotë se janë edhe 150 gjyqe të fituara në mënyrë individuale nga naftëtarët.
Detyrimet për paga nisin nga data 1 Gusht 2015 deri më 1 Shtator 2016, periudhë gjatë të cilës rafineria nuk ka punuar, por është detyrim i ARMO-s që rrjedh nga kontrata kolektive, të paguajë punëtorët edhe nëse uzina nuk punon.
“Totali i përgjithshëm shkon tek 8 milionë euro sipas përllogaritjeve që bëhen në gjykatë”.
Taf Koleci thotë se kontrata kolektive është nënshkruar me administratorin e ARMO-s në atë kohë, Fatjon Veizaj. Ai premton se sindikata do të ndjekë çdo rrugë ligjore që të marrë paratë për naftëtarët.
“Me gjykatë mund ta çojmë në arbitrazh. Unë nuk i le në baltë ata naftëtarë. Kam nisur gjyqet dhe do t’i çoj deri në fund”.
Por përse naftëtarët kërkojnë pagat nga shteti, kur kontrata është lidhur me një kompani private?
“E dinë mirë ata shtetarët. Janë objekte strategjike dhe shteti mban përgjegjësi”.
Koleci është dakord që naftëtarët të protestojnë për të marrë pagat, por aktualisht sipas tij, ata po përdoren për qëllime politike.
“Naftëtarët kanë të drejtë 100% që të ngrihen në këmbë. Po luhet keq sepse drejtuesit e organizatës politike në zgjedhjet e ardhshme do të dalin forcë politike në vete dhe do nxjerrin deputetët e tyre më vete. Kanë krijuar sindikata fiktive”.
Ditën e protestës, edhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sqaroi për Televizionin Klan se naftëtarët duhet t’i kërkojnë pagat e tyre pranë kompanisë me të cilën kanë pasur kontratat dhe jo shtetit.
Tv Klan