Pavarësisht hapave të shpejtë që po hedhin grupet rebele nën komandën e Abu Mohamed al-Golanit për të mbushur boshllëkun e autoritetit të lënë bosh pas rënies së menjëhershme të regjimit të Bashar al-Asadit, Siria rrezikon të zhytet sërish në një luftë të ashpër civile si ajo e Pranverës Arabe.

Kjo hartë e medias amerikane CNN tregon se veç Hajat Tahrir al-Shamit, që mori kontrollin e kryeqytetit dhe qyteteve më të rëndësishëm në perëndim të vendit, të tjerë grupe po zgjerojnë kontrollin e tyre në pjesë të tjera të Sirisë.

Shqetësues është rigrupimi i terroristëve famëkeqë të Shtetit Islamik. Zyrtarë të Uashingtonit, bazuar tek të dhënat nga baza amerikane në jug të Sirisë konstatojnë rishfaqje të shpejtë të këtyre militantëve në zonat përreth kësaj baze.

Ndërsa në veri, rebelët e të ashtuquajturës “Ushtria Kombëtare e Sirisë” e mbështetur ng Ankaraja po pushton territore të gjera përgjatë kufijve me Turqinë dhe po lufton ashpër me rebelët kurdë të mbështetur nga amerikanët që kanë kontrollin e verilindjes së Sirisë.

Mes këtij kaosi, Izraeli po bombardon intensivisht depot e armatimit të regjimit të Asadit, që armët të mos bien në duart e ekstremistëve.

Tv Klan