Policia i bën xhiro me motor uji, ministri kërkon falje
Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini është futur sërish në telashe, për shkak të këtyre pamjeve ku i biri 16-vjeçar po bën xhiro në plazh me një motor uji të policisë.
Pamjet u publikuan ekskluzivisht nga e përditshmja La Repubblica. E gjitha ndodhi në bregdetin e Milan Maritima, në Papeete Beach, ku Salvini po kalon pushimet verës. Në një moment, ai shkelmon topin në det dhe i pëshpërit një polici: “Unë jam duke shkuar në çadër”. Ndërsa djali i tij hipën në një xhet ski të drejtuar nga një oficer policie.
Teksa kuptojnë që ky moment është regjistruar një fotografi i La Repubblica, dy individë, policë pa uniformë, i afrohen dhe i kërkojnë të mos filmojë, në të kundërt i thonë se do ta arrestojnë.
Për të shmangur përmendjen e emrit të të birit të Salvinit, dy policët mohojnë faktin që në motorin e ujit ndodhen dy persona.
Salvini kërkoi falje dhe tha se ishte një gabim atëror. Partitë e opozitës nuk e humbën mundësinë për të sulmuar Ministrin e Brendshëm: “Policia ka për detyrë të garantojë sigurinë tonë dhe të mos argëtojë familjen e Salvinit”, tha Emmanuel Fiano nga Partia Demokratike e qendrës së majtë (PD). Ligjet ndalojnë përdorimin e mjeteve shtetërore, për më tepër ato të policisë për qëllime turistike.
Tv Klan