Dita e sotme shënon 7 Marsin, Dita e Mësuesve. Kjo festë festohet në të gjitha trevat shqiptare. Nxënës dhe studentë nga i gjithë vendi kujtojnë sot edukatorët dhe mësuesit e tyre të parë.

Tashmë 7 Marsi e cilësuar si ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, sot të gjithë kujtojnë edhe mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Kjo ditë i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe në këtë ditë, të gjithë së bashku nderojmë traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, si dhe të figurës së mësuesit.

Shkolla e parë Shqipe.

Ishte 7 Mars 1887, kur mësuesi, Pandeli Sotiri bashkë me atdhetarë të tjerë dhanë kontributin e tyre në hapjen e Mësonjëtores Shqipe në Korçë. Kjo ditë shënohet si një ndër arritjet më të mëdha të vendit tonë në atë kohë. Për shkak të pushtimit osman në atë periudhë mësimi i gjuhës shqipe bëhej në mënyrë të fshehtë, nëpër shtëpi që nuk duhej të diktoheshin nga pushtuesit.

Drejtuesit e parë të kësaj shkollë ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, etj. Kontriubuti i këtyre atdhetarëve dhe veprimtarëve dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të mësuar pasardhësit e tyre, për të shpërndarë dije dhe kulturë e për ta trashëguar këtë në brezat e më vonshëm. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të përhapnin më vonë frytet e ideologjisë shqiptare./tvklan.al