Në këtë 7 Mars që përkon me Ditën e Mësuesit, e ftuar speciale në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishte mësuese Barie Boba Çupi. E përkushtuar dhe e palodhur, ajo e ushtron këtë profesion, duke edukuar breza për më shumë se 30 vjet.

Në studio ajo tregon se dëshirën për të qenë një arsimtare e ka pasur që kur ka qenë në bankat e shkollës, në 8-vjeçare. Ishte pikërisht shembulli dhe puna e përkushtuar e mësuesve të saj që ia ushqyen këtë dëshirë.

“Që nxënëse shkolle në 8-vjeçare unë isha shumë e gatshme dhe e përpiktë në procesin e mësimit, metodën se si e shpjegonte mësuesi. Unë edhe sot i kam në mendje metodat e mësimdhënies të mësuesve të mi dhe interesin që na tërhiqnin ata për të na mësuar për të qenë nxënës shumë të mirë më ngeli në memorie. Dhe thashë me vete unë do ia arrij, u futa në këtë linjë dhe shkova atje ku doja. Jam një njeri që nuk përtoj dhe e ndjek atë që dua. Çdo ditë dua të mësoj më shumë, sepse jemi nxënës të përjetshëm, jo vetëm fëmijë, por unë edhe sot e quaj veten një nxënëse sepse kemi shumë për të mësuar.”

Jo vetëm dëshira, por “fati” e kishte paracaktuar që ajo të ishte një mësuese. Barie Boba Çupi jep mësim në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe asaj Frënge. Mes emocionesh ajo tregon ditën e saj të parë, kujtimet e së cilës pavarësisht viteve që kanë kaluar i ka akoma të freskëta. Mësuese Barija nuk e harron leksionin e parë që ka marrë ish-mësuesi i saj i letërsisë, i cili i tregoi se si të ishte e arrirë në profesionin e saj.

“Në Fushë-Bulqizë ishte vendlindja ime aty më thirri drejtori i shkollës sepse ish-mësuesi im i letërsisë që unë e adhuroja, ai ruante krijimet e mia, ato hartimet e mia. I kishte mbajtur aty, ai më merr në drejtori më bën një leksion se si duhet të jesh vërtetë një mësuese e arrirë. Aty gjeta ngrohtësinë dhe mbështetjen dhe fillova punën si arsimtare në Fushë-Bulqizë për 5 vite.”

Në fund ajo pati një këshillë për të gjithë kolegët e saj. Për të një mësues është i mirë dhe i arrirë kur ka dashuri, empati dhe komunikim me nxënësin.

“Një mësues e bën të mirë dashuria dhe respekti që ka për nxënësin. Nëse një mësues përdor empatinë, mirësjelljen, komunikimin, mbështetjen, dëgjesën me fëmijët, atëherë ka realizuar 80% të punës së tij.”/tvklan.al